Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në të cilën po diskutohet për kontratat njëburimore, ka thënë se fenomeni i kontratave njëburimore janë turpi i Qeverisë Kurti.
“Kemi folë për çështjen e lidhjes së shkurt të korrupsionit, pra kur shefi ia jep besimin njerëzve të tij të besum, ata më pastaj me përkrahjen e shefit janë zoti vetë, s’kanë nevojë as për ligje, as për rregullore e as për me u frikësu prej askujt sepse e kanë mbështetjen e shefit”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt, fenomeni i kontratave njëburimore e turpëron dhe e marron qeverinë.
“Sot shifne rezultatin ku keni mbrri. Mund të arsyetohet një kontratë njëburimore në ndonjë situatë të caktuar, por fenomeni i kontratave njëburimore ju turpnon, ju marron, nuk mundeni me i ikë kësaj”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj iu ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që ta ftojnë hetuesinë dhe prokurorinë për të vlerësuar nëse ka shkelje të ligjit dhe humbje të parasë.
“Meqë nuk po doni me e përkrahë rezolutën ashtu siç po propozojmë ne si deputetë, atëhere keni guximin si grup parlamentar i pushtetit ftoni prokurorinë e hetuesinë të hetojnë numrin aq të madh të kontratave njëburimore me e ditë a ka konflikt interesi, a ka shkelje të ligjeve dhe a ka humbe të parasë. Pra, duhet ta keni këtë guxim!”, përfundoi Haradinaj.
DTV