Vendimi i Qeverisë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit u shoqërua me diskutime në vend. Nga ndërkombëtarët është mirëpritur, ndërsa nga opozita është kritikuar i pari i vendit, Albin Kurti.
Lidhur me këtë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se Kurti ka ndjek një politikë të mashtrimit brutale.
“Janë dy çështje që duhet të theksohen. E para është ditur me vite që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen gjithmonë. Por kjo ka qenë diçka që është kundërshtuar nga Kurti dhe partia e tij në emër të patriotizmit. Pra, me vetëdije është mashtruar publiku i Kosovës nga ata. E dyta, veprimi i Kurtit pardje, por dokumentet që dolën tregojnë që vendimi është marrë më herët, paraqet rrënjën brutale të mashtrimit dhe rrenave të Kurtit karshi qytetarëve të Kosovës. Politike e mashtrimit brutal ka ndjek Kurti”, tha ai.
“Çka duhet potencohet është dhe publiku i Kosovës ka drejtë të dijë këtë, çka është kjo puna e Kurtit dhe ekipës së tij me toka dhe kishën ortodokse. Qytetarët duhet të dinë që në vitin 1990 lejen për ndërtimin e Kishës në oborr të Universitetit të Prishtinës e kishte dhënë Hamdi Vraniqi, babai i Erzen Vraniqit tani këshilltarit të afërt të Kurtit që dy dekada. E tani Kurti dhe toka e manastirit të Deçanit. Këto janë tema që duhet të diskutohen në publikun Kosovar, çka është kjo lidhje e çuditshme e kësaj klase politike me tokat dhe kishën ortodokse serbe?”, ka thënë ai.
Po ashtu, Pacolli është pyetur edhe për deklaratën e kryeministrit Kurti i cili ka thënë se: S’do të ndryshojë qëndrim ndaj “këtij vendimi të dëmshëm”, i njëjti këtë deklaratë e ka quajtur rrënjë brutale të mashtrimit politik.
“Rrënja brutale e mashtrimit politik është kjo. Nuk ka asgjë tjetër. Por në një klasë politike që nuk e njeh institucionin e dorëheqjes dhe përgjegjësisë politike siç është rasti me Kurtin, atëherë kjo ndodh. Mashtrimi popullist i është zhveshur por përgjegjësia politike mungon“, deklaroi Pacolli.