DHTIK kundërshton edhe njëherë vendimin për kushtëzimin e përkrahjes së punëtorëve të sektorit privat me ngritje të pagave nga ana e bizneseve, kushtëzim ky që nuk i është vendosur punëtorëve të sektorit publik.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) përshëndet pjesërisht vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës gjatë muajt shtator për përkrahje të punëtorëve të sektorit publik dhe privat.
Kryetari i DHTIK-ut, Skënder Krasniqi në një konferencë për media kërkon nga Kryeministri, Ministria e Financave, Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tjera të vendit që të merren parasysh këto kërkesa dhe të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm apo në dy pjesë për punëtorët e sektorit privat në shumën prej 200 eurove, ashtu siç është duke i’u dhënë punëtorëve të sektorit publik, sepse këta punëtorë së bashku me bizneset janë më meritorët dhe shtylla e buxhetit dhe zhvillimit të vendit.
Kjo odë kërkon gjithashtu që të merren parasysh kërkesat e vazhdueshme që është duke i dërguar institucioneve përkatëse në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Njëkohësisht, i ftojmë në një dialog të drejtpërdrejt me qëllim të diskutimit lidhur me gjendjen e bizneseve në terren pasi që Dhoma e Tregtisë është çdo ditë në vizita dhe kontakte të vazhdueshme me bizneset”, tha Krasniqi.