Më 27 mars shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për në KiE, cilat mund të jenë përfitimet?

Më 27 mars do të shqyrtohet aplikimi i Kosovës për KiE. Këtë e bëri të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se po udhëton në Pari, ku do të marrë pjesë si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës.

Mes diskutimeve të çështjeve tematike të Komitetit, Tahiri ka shtuar se do të ketë edhe takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Jam rrugës për Paris, ku si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës do të diskutojmë çështje tematike të Komitetit por edhe do të kam takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill.”

Ai ka thënë se këtë javë janë dy momente të rëndësishme.

Tahiri shtoi se më 27 mars mbahet takimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci dhe për t’u votuar raporti duhen votat e 27 deputetëve.

“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dergohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave.”

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim
Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj të vitit 2022. Kjo është bërë e mundur pasi më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky këshill, për shkak të agresioni në Ukrainë. Në këtë mënyrë gjasat për anëtarësimin e Kosovës po shihen si reale.

Me përjashtimin e Rusisë , dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Meqenëse vendimet në këtë organizatë merren me shumicë votash, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Për pranimin e shteteve të reja në KE, neni 3 i Statutit të KE-së tregon se çdo shtet evropian duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit ligjor. Çdo shtet evropian i cili plotëson parimet e nenit 3 të statutit të KE-së, mund të ftohet që t’i bashkohet KE-së. Rregullorja e punës e Këshillit të Ministrave, respektivisht neni 25, thotë se për t’u marrë në konsideratë anëtarësimi i një shteti të ri në KE, iniciativa duhet të vijë nga një shtet anëtar i KE-së dhe propozimi për këtë duhet të futet me kohë në agjendë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Më pas Këshilli i Ministrave i kërkon opinion apo rekomandim Asamblesë Parlamentare. Kjo e fundit formon një komision, i cili mbikëqyr nga afër përputhjen e legjislacionit vendor me parimet ligjore të KE-së. Ky komision pastaj paraqet një raport para asamblesë dhe në bazë të tij asambleja me 2/3 e votave të anëtarëve merr vendim për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KE. Duke u bazuar në shtetet që e kanë njohur Kosovën, me përjashtimin e Rusisë, institucionet e Kosovës pretendojnë se kanë votat e nevojshme për këtë anëtarësim.

Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në KE
Anëtarësimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës përfitime në disa fusha, duke përfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.

Fillimisht, bërja pjesë e këshillit do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Më pas, anëtarësimi rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Gjithashtu, shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre nga ndonjë institucion shtetëror i Kosovës, apo cilido shtet anëtar i KE-së.

Po ashtu, anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO, MONEYVAL, ECSR, CEPEJ, CPT, GRETA si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.