Çështja e dinarit nxiti vizitën e zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, që të vijë për tri ditë në Kosovë. Në agjendë e kishte diskutimin me kryeministrin Albin Kurti për rregulloren e BQK’së që ndalon transaksionet me dinarë derisa të gjendet një zgjidhje më afatgjate. Sidoqoftë, siç e tha vetë, ishte i pasuksesshëm që ta bindë Kurtin që ta suspendojë rregulloren, por e shtyu palën kosovare që të shkojë në Bruksel për ta diskutuar këtë temë – ndër të tjera.
“Unë i kërkova kryeministrit [Kurti] ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate, që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, kishte deklaruar Escobar .
Katër ditë më pas, Qeveria e Kosovës lëvizi nga qëndrimi që nuk shkojnë përfaqësues të saj në Bruksel për të diskutuar mbi një vendim të një institucioni të pavarur, referuar vendimit të Bankës Qendrore që përjashtoi dinarin nga përdorimi në Kosovë.
Por, diplomati amerikan i lëvizi gjërat.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dje qëndroi në Bruksel ku përveç takimit me emisarin Miroslav Lajçak, mbajti edhe një takim trepalësh edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Nga ky takim palët dolën të ngarkuara me detyrën për të dorëzuar propozimet e tyre për përdorimin e dinarit deri më 22 mars. Gjithashtu, u dakordua që javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve, edhe pse Zyra e Zëvendëskryeministrit Bislimi tha u “përmend edhe cështja e dinarit.
“Në pjesën e dytë [të takimit] kemi diskutuar disa tema, natyrisht që ka qenë edhe për Bankën Qendrore të Kosovës. U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe si të fillohet me zgjidhjen afatgjatë dhe pastaj javën tjetër të mblidhemi sërish dhe të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime të mund të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që do të kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”, tha dje Bislimi për gazetarët në Bruksel.
Përveç takimeve të nivelit teknik, u përmend mundësia edhe për takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve të të dyja vendeve.
Emisari Lajçak, në një postim në X pas takimeve ku tregoi për temat që u folën në takim, tha se marrëveshja e dakorduar vitin e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet të adresohet nga liderët.
“Ne u pajtuam të vazhdojmë në këtë çështje [dinarin] të hënën tjetër, derisa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, shkroi Lajçak.
Me t’u kthyer në Kosovë, sot Bislimi u takua me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, për të informuar mbi atë që prodhoi takimi.
Jashtë ndërtesë së Qeverisë, Hovenier tha se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.
DTV