Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit për të enjten e kësaj jave.
“Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shtuar se pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit.
Shefi i deputetëve të PDK-së tutje theksoi se çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë.
“Hetimi do të ndodhë patjetër”, tha Tahiri.