Projektligji për KPM-në cilësohet i dëmshëm për mediat e kontribues në shuarjen e mediave të komuniteteve

Në dëgjimin publik të hënën rreth këtij projektligji, u kërkua që projektligji të ndryshohet.

Flutura Kusari nga Forumi për integritet të informacionit ka thënë se nëse nuk ndryshon ky projektligj, e lehtëson kapjen e mediave nga partitë.

Sipas Kusarit, nëpërmjet këtij projektligji, së shpejti skena mediale mund të jetë e mbushur me “TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”.

“Një prej shqetësimeve kryesore tona është që nëse projektligji nuk ndryshon, atëherë partitë apo bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio… një gjë e tillë nënkupton se për një kohë të shkurtë do të kemi skenë mediale të mbushur me TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”, ka thënë ajo.

Sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemaj, Rexha, projektligji për KPM-në do të çonte në shuarjen e disa mediave të komuniteteve.

“Ky do të çonte në shuarjen e shumë mediave të komuniteteve, jo vetëm në gjuhë serbe, por edhe në gjuhën rome e kështu me radhë”, ka shtuar ai.

E, Visar Hoti nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) ka deklaruar se tregu medial në Kosovë është i monopolizuar.

“Nuk na ka pëlqyer fare që mediat në projektligj janë vetëm biznese. Së pari, tregun medial e kemi të monopolizuar dhe të koncentruar. Ligjin për Digjitalizim e kemi që nga viti 2015, por nuk është marrë ndokush me të pas marrëveshjes për stabilizm-asocim. Problemi është që nuk e ka adresuar mirë koncentrimin, nuk e parandalon monopolin. Këtij ligji duhet t’i shtohet një kapitull. KPM-ja nuk ka mekanizma për ta rregulluar tregun, nuk ka mekanizma të analizës, s’ka mekanizma të rregullimit. Kur ndryshohet pronësia (pa leje prej KPM-së) gjoba maksimale është 5000 euro”, ka shtuar ai.

“Biznese janë edhe arti, biznese janë edhe sporti, por ato po e gjejnë mbështetjen prej fondeve publike. Mediat lokale dhe rajonale nuk janë vetëm. Nëse e merr licencën në emër të ‘Kosovo Metohisë’ është njëfarë piraterie. Po kërkoj nga ju si komision që ta ndalni inkuizicionin ndaj anëtarëve të KPM-së…Ju po e fajësoni trenin se po ecë nëpër binarët e vet”, ka deklaruar Hoti, duke bërë thirrje që ky ligj të ndryshohet.

Ndërsa, Kreshnik Gashi nga BIRN është shprehur se duhet të vendosen obligime për transparencë të financave “ashtu që të publikohen financat e mediave”.

E, Arben Hajredinaj nga OSBE-ja ka propozuar një model të bashkërregullimit ku vazhdimisht ka bashkëpunim mes KPM-së dhe KMSHK-së.

“Mendoj se duhet të përcaktojmë qartë se çfarë nënkupton dhe asaj se çka quajmë koncentrim të pronësisë së mediave. Do t’i dërgojmë edhe disa komente me shkrim”, është shprehur Besnik Berisha, anëtar i KPM-së.

Ai ka shtuar se mediat online i bëjnë konkurrencë ofruesve të shërbimeve audio dhe audio-vizuale.

“Ne nuk e arrijmë qëllimin e rregullimit nëse nuk i rregullojmë të gjitha mediat në formë të barabartë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.