/

Rrahman Jasharaj paralajmëron greva e protesta nga mësimdhënësit

Greva e protestat po paralajmërohen këtë vit nga mësimdhënësit.

Një situatë e tillë mund të krijohet si shkak i moskumunikimit që Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) thotë se e ka me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Këta të fundit, sipas SBASHK-ut, janë mbyllur në komunikim dhe nuk i përgjigjen kërkesave të tyre.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se kjo situatë po vije si shkak i injorimit dhe mungesës së dialogut që sindikata që ai udhëheq po e ka me MASHT-in, konkretisht ministren e arsimit, Arbërie Nagavcin.

Sipas tij, ka muaj që nuk ka pasur takim dhe kontakt me ministren Nagavci për t’i shprehur shqetësimet dhe kërkesat e sindikatës që drejton ai.

‘’Në takimin online të së shtunës, kryetarët që përfaqësojnë të punësuarit në sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri në universitete, kanë ngritur shqetësimet se pse po mungon dialogu me fajin e Qeverisë, sidomos janë ndalur te Ministria e Arsimit, sepse zonja Nagavci ka muaj, pra nga greva e kaluar nuk ka gjetur kohë për t’u takuar me ne , për t’i diskutuar dhe dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet tona dhe duke e parë këtë situatë, ka rrjedhur ideja që meqë po mungon dialogu me znj.Nagavci, të hyjmë në grevë dhe të organizojmë protesta’’, shprehet Jasharaj për Front Online.

Jasharaj, ka treguar se cila është kërkesa e tyre duke paralajmëruar kështu se me 1 maj do të ketë një protestë ku do t’i shprehin të gjitha pakënaqësitë e tyre.

Sipas tij, kjo do të ndodhë për fajin e Qeverisë dhe ministres Nagavci, për shkak të qasjes, siç tha ai, të gabuar që ata kanë ndaj tyre.

‘’Kërkesa jonë është të ketë dialog me MASHT-in, që t’i shprehim kërkesat dhe shqetësimet tona me ta. Qeveria Kurti po vazhdon me qasjen e gabuar dhe një gjë të tillë e shohim edhe tek zonja Nagavci, atëherë duke munguar dialogu me fajin e Qeverisë, ne kemi filluar të mendojmë për veprimet sindikale, mbase edhe me sindikata tjera do të mendojmë të kemi një protestë me 1 maj për ti shprehur gjitha pakënaqësitë dhe për ti publikuar edhe njëherë kërkesat tona dhe të tjerëve SEPSE EDHE ato kanë pakënaqësi si për Marrëveshjen Kolektive, për Ligjin e Pagave, për sigurimet shëndetësore’’, thotë Jasharaj

Ai thotë se greva e vitit 2022 mund të përsëritet këtë vit sepse sipas Jasharajt, ngjashëm kishte nisur edhe atëherë pakënaqësia.

‘’Unë kam frikën se kështu ka nisur edhe greva me 2022 dhe kam frikën se mund të përsëritet situata e njëjtë, sepse edhe atëherë filluam me protestën e 20 majit me pjesëmarrjen e 19 mijë sindikalistëve, pastaj greva një orëshe. Kam frikën se Qeveria do të shkojë me avazin e vjetër të qasjes me sindikata dhe dialog. Unë nuk po dua të krijoj tensione para kohe por jam i prirur të ngrisë zërin e anëtarësisë sepse çdo vendim që merr anëtarësia unë jam i thirrur të zbatojë atë. Ne po kërkojmë që Qeveria të ndërroj qasje dhe t’ i kthehet dialogut dhe të mos i kthehet situatave të vitit 2022’’, përfundon Jasharaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.