Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka bërë të ditur se gjatë të mërkurës është vërejtur situatë më e rënduar e cilësisë së ajrit krahasuar me ditët tjera, në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM10 dhe PM2.5.
Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM10 dhe PM2.5 është regjistruar sidomos në stacionet në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë.
AMMK sqaron se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve meteorologjike në të cilat ndodhej vendi ynë.
Sipas të dhënave meteorologjike të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vendi gjatë këtyre ditëve ishte nën ndikimin e masave të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.
“Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër”, thuhet në njoftim.