Padia ka të bëjë me një deklaratë të Durmishit të dhënë për media, ku ai kishte thënë se ata ua kanë prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituar miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës, duke e përmendur edhe emrin e Sami Lushtakut, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka paditur zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin, për shpifje dhe fyerje, për çka po kërkon kompensim dëmi jomaterial.
Lushtaku thekson në padi se deklarata e Durmishit i ka shkaktuar dëme në aspektin e moralit dhe dinjitetit dhe se i njëjti me qëllim ka tentuar që ta ekspozojë para turpit në komunitetin e tij.
Ndryshe, në padinë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, që mban datën 22 qershorit 2022, thuhet se i padituri Hurmishi më 8 qershor 2022 në një intervistë të mbajtur në kanalin televiziv ATV, ka bërë një deklaratë ku thuhet: ‘Na ja u kemi prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituar miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës. Qe një shembull, unë mendoj se kush mund të jenë këta: prej Sami Lushtakut dhe njerëzve rreth tij e deri te Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij’.
Tutje, citohet deklarata e Hysenit ku thotë “Shembull, po flasim këtu dy kompani private e kanë bërë një dallaver me nja 30 mijë euro, por veç me kontratën e mirëmbajtjes na ia kemi pshtu buxhetit 30 milionë euro. Diku kanë përfundu kto 14 lloto, ne jemi duke i përfundu me 9 milionë euro, për 3 vjet bojnë 27 milionë euro, 57 u ka kështu në qeverisjet e kalume, 30 milionë euro kanë perfundu diku”.
Në padi thuhet se Durmishi në mënyrë tendencioze ka vazhduar: “nuk e di a kanë shku në xhep të Lushtakut apo Ramush Haradinajt, por që kanë shku në xhepat e njerëzve të Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinaj jam i bindur”.
Sipas padisë, Lushtaku pretendon se një deklaratë e tillë do të ndikojë negativisht në emrin e mirë të cilin e ka krijuar ndër vite për vete, në besimin e qytetarëve të Komunës së Skenderajt si dhe degës së PDK-së, duke shtuar këtu faktin se gjatë luftës ia ka qenë edhe gjeneral i UÇK-së.
Lushtaku në padi po ashtu potencon se deklarata e Durmishit i ka shkaktuar dëme në aspektin e moralit dhe dinjitetit dhe se i njëjti me qëllim ka tentuar që ta ekspozojë para turpit në komunitetin e tij.
Në këtë padi, Lushtaku i referohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit civil kundër shpifjes, fyerjes, pastaj Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve dhe trajtimit të shpifjes dhe fyerjes nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Lushtaku me padi rezervon edhe të drejtën që të bëjë precizimin e vlerës së kërkesëpadisë për kompensimin e dëmit jomaterial, gjë që do ta bëjë në shqyritmin gjyqësor.
Mbi bazat e lartcekura, Lushtaku po kërkon nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e tij, të detyrohet i padituri të kërkojë falje publike për shpifjet e bëra, në atë mënyrë që të informohet publiku për demantimin e deklaratave të Durmishit, sipas tij të rreme, dhe të obligohet ky i fundit të mbulojë shpenzimet e procedurës.