Këshilli për të Drejtat e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj ndarjes buxhetore që ka bërë Ministria e Shëndetësisë për trajtime jashtë vendit, duke theksuar se kjo është një shifër e papërfillshme.
KMDLNJ në një reagim thotë se të sëmurët me kancer të diagnostifikuar janë në pozitë shumë të rëndë, pasi në pamundësi të krijojnë mjete vetanake, për trajtim detyrohen të hyjnë në borxhe, të marrin kredi, të kërkojnë ndihma nga bamirësit apo të shesin prona.
“Doli një informatë se Ministria e Shëndetësisë ka ndarë nga një milion euro në muaj për trajtim të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit e që për KMDLNj- ë është shifër e papërfillshme krahasuar me nevojat e të sëmurëve që nuk kanë kushte për trajtim në institucionet shëndetësore kosovare. Mungesa e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, që ende nuk po zbatohet në Kosovë po e rëndon dhe pamundëson trajtimin profesional të pacientëve me probleme të rënda shëndetësore. Në këtë kontekst, të sëmurët me kancer të diagnostifikuar janë në pozitë shumë të rëndë. Klinika onkologjike, me kapacitetin që e ka, profesional dhe material nuk është në gjendje t’i përmbushë nevojat e këtyre të sëmurëve.
Kujdesi shëndetësor për qytetarët e Kosovës është përgjegjësi e shtetit i cili ka dështuar në këtë aspekt ndonëse ka mjete të mjaftueshme financiare. Sigurimi i trajtimit shëndetësor në përputhje me nevojat e këtyre pacientëve është pjesë fundamentale e të drejtave të njeriut që garantohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për këto të drejta që nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara e deri te Kushtetuta e Kosovës.
Pacientët me kancer në Kosovë jo që nuk po trajtohen në përputhje me të drejtat e njeriut që iu takojnë por as edhe çastet e fundit të jetës nuk po i kalojnë në mënyrë të dinjitetshme. Deputetët e Kuvendit të Kosovës asnjëherë nuk kanë hapur debat për këtë çështje duke përligjur një dukuri diskriminuese ku trajtimi bëhet në bazë të fuqisë materiale dhe statusit në shoqëri”, thuhet në reagim.