//

Opozita ia faturon Qeverisë dështimet në shëndetësi

Tri partitë opozitare kanë hedhur kritika në drejtim të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, sa i përket menaxhimit të shëndetësisë. Por mazhoranca nuk po pajtohet me këto pretendime, për të cilën e lavdëron për “përmirësimin e gjendjes në shëndetësi”.

PDK, LDK e AAK thonë se dështimet ndërlidhen edhe me mungesën e investimeve kapitale, ndërsa VV-ja përmend rritjen e buxhetit për këtë sektor.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se realizimi i investimeve kapitale është nën shumën prej 10 për qind, ndërsa shumica e buxhetit ka shkuar në suficit.

Haxhiu thotë se kryeministri Kurti nuk ka arritur ta largojë as “qenin topall” nga QKUK-ja.

“Realiteti është se në shëndetësi ka qenë një dështim total në investime kapitale. Realizimi i atyre investimeve ka qenë nën 10 për qind. Ashtu siç e kemi parë, shumica e mjeteve buxhetore dedikuar për shëndetësi në tri vitet e fundit kanë shkuar suficit. Gjendja në shëndetësi është e mjerueshme, kryeministri Kurti po jeton në një botë paralelë por më së miri do të thotë këto deklarime dhe mashtrime të tij të rrejshme i sheh qytetari i Kosovës dhe pacientët çdo ditë në spitale tona dhe e sheh çfarë mjerimi është dhe çfarë degradimi në sektorin e shëndetësisë. As atë premtimin e tij që kishte thënë me e largu atë ‘qenin topall’ nga QKUK nuk është sepse brenda një viti i kemi pas tri sulme të qenve ndaj personelit shëndetësor brenda QKUK-së kjo është përshtypja për Kurtin dhe interesimin e tij për shëndetësi”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu përmend edhe raportet e auditimit, të cilat thotë se kanë evidentuar shumë keqpërdorime milionëshe e kontratat njëburimore.

“Janë të shumta prej moszbatimit të ligjit, aferat korruptive, raportet e auditimit me miliona euro keqpërdorime, kontrata njëburimore, manipulime të shumta me listën e barnave esenciale, mundim i pacientëve për trajtim në sektorin publik, vuajtje e tyre edhe për trajtim jashtë vendit mospagesa me kohë e vështirësi të shumta të cilat janë evidente prej mungesave elementare të gjilpërave e dorëzave e deri tek gjërat madhore se nuk po guxojmë më i përmend të gjitha ato sepse vërtetë pastaj po kemi dështim të madh të pacientëve dhe qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.

E ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë se 2024-ta është vit i keqinvestimeve në fushën e shëndetësisë. Përmend shifrën e vogël për investime kapitale e mungesën e një strategjie për shëndetësi.

“Çdo vit të kësaj qeverisje ka qenë vit i keq i investimeve, qoftë kapitale, qoftë të furnizimit me barna apo pajisje që quhen produkte medicinale. Vitin e kaluar kishim më pak se 8 për qind, këtë vit jemi në muajin e katër ka disa harrnime t’i quaj por jo strategji në sektorin e shëndetësisë e cila i përmirëson shërbimet e i avancon shërbimet dhe ruan xhepin e pacientit si dhe përmirëson infrastrukturën në tërësi të institucioneve të republikës së Kosovës. Po kjo është gjuha të cilën e përdor kryeministri pas gjithë atij dështimi sidomos në këtë sektor sensitiv por këto janë fakte që flasin, nuk janë vetëm ankesa qoftë të qytetarëve as të opozitës”, u shpreh Zemaj.

Zemaj ka kritika edhe për mosimplementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësor dhe për Sistemin Informativ Shëndetësor. Ai thotë se Qeveria Kurti i ka lejuar “grupet kriminale farmaceutike” t’i fusin duart në listën e barnave esenciale.

Nuk ka strategji për shëndetësi nuk ka ligj për të rinj për shëndetësi nuk ka ligj për sigurime shëndetësore asgjë nuk është bërë për Sistemin Informativ Shëndetësor, ka keqpërdorime dhe abuzime me barna, ka futje të duarve të grupeve kriminale farmaceutike të përkrahura nga kjo Qeveri në listën esenciale të barnave dhe ka dëmtim të shëndetit publik mbi të gjitha ka shantazh, përkeqësim ose mos të them situatë të keqe brenda institucioneve të shëndetësisë duke bërë edhe largimin e madh të mjekëve dhe infermierëve nga institucionet publike shëndetësore”, deklaroi tutje Zemaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, thotë se dështimi i Qeverisë Kurti në shëndetësi bazohet në gjendjen e rëndë nëpër klinika. Dreshaj thotë se në Kosovë funksionojmë pa strategji për shëndetësi, e cila ka skaduar në vitin 2021.

“Vërtetë sa i përket investimeve në shëndetësi mund të shkoni të vizitoni klinikat e vendit dhe mund të shihni fare se praktikisht fare ato investime ndoshta ekzistojnë por ne nuk po i shohim. Në fushën e shëndetësisë ka mangësi të shumta si në aspektin menaxherial, si në aspektin e furnizimit, si në aspektin e vijueshmërisë së punës, në aspektin e furnizimit me barna, me listat e pritjes. Kemi mangësi të mëdha në drejtim të faktit se ne ende funksionojmë pa strategji për shëndetësi, pra në vitin 2021 strategjisë i ka skaduar afati. Pra jemi që 4 vite pa strategji për shëndetësi”, u shpreh Dreshja, teksa kritikon ekzekutivin edhe për mungesën e Ligjit për sigurime shëndetësore.

Kritika ka edhe për listën e gjatë të pritjes në QKUK.

“E kemi ligjin për sigurime shëndetësore që fare nuk është askund dhe ka qenë jofunksional, pastaj kemi situatën që vazhdojnë ende listat e pritjes në QKUK situatën kur plotë pacientë kanë ankesa në raport me ofrimin e shërbimeve cilësore dhe cilësinë në shërbimet shëndetësore gjë që është raportuar edhe në raportin e MSAS që na e kanë ofruar vazhdon mungesa e mëdhaja e listës esenciale të barnave të cilat ne jemi të obliguar ta furnizojmë QKUK dhe Shërbimin Klinik Spitalor pra nivelin sekondar dhe terciar të shërbimit vazhdojnë telashet me procesin e spitalizimit pra me letrën të cilat nuk realizohen, prandaj vazhdojmë kundër faktit që është dyfishuar buxheti sipas qeverisë aktuale, problemet vazhdojnë të jenë të njëjta të që përgjithësojnë me një përkeqësim evident”, u shpreh Dreshaj.

Por përkundër deklarimeve të opozitës, deputeti i pushtetit, Haxhi Avdyli, thotë se gjatë qeverisjes Kurti ka shtim të buxhetit në shëndetësi. Ai përmend edhe sukseset që sipas tij kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

“Shëndetësia ka qenë e nënfinancuar në të kaluarën dhe kjo tash në këtë vit që e lamë ka një rritje prej 100 milionë euro në buxhetin që ishte para katër, pesë vitesh, diku në 200-300 milionë euro tash këto 300 milionë investime apo buxhet në shëndetësi domosdoshmërisht rekrutohen edhe në investime të ndryshme që po ndodhin gjithandej. Sot në të gjitha klinikat mos të them në të gjitha klinikat por në shumicën e klinikave ka investime e renovime. Isha para disa ditëve në Klinikën e Onkologjisë ku është duke iu ndërruar totalisht fytyra asaj klinike me një investim grandioz ku shërbimet do të jenë më cilësore edhe më moderne por edhe ambientet do të jenë më të përshtatshme. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë, në Gjinekologji, Ortopedi e gjithë andej”, thotë Avdyli.

Deputeti i partisë në pushtet, përmend edhe shtimin e aparaturave për rezonancë magnetike dhe ligjin e pagave. Për këtë të fundit, thotë se kolegët e tij përfitojnë deri në 2 mijë euro.

“Në aparatura ka disa investime serioze ne si Kosovë për shumë vite e kemi pas vetëm një rezonancë magnetike ndërsa tani vetëm në 6 muajt e fundit i kemi përuruar tri rezonanca magnetike. Të gjithë këto investime në rezonanca shkojnë në të mirë të pacientit, në zvogëlimin e shpenzimeve të pacientit dhe në zvogëlimin e listës së pritjes. Investimet e ndryshme që po ndodhin në sallat e operacionit domosdoshmërisht edhe ato kanë me e respektuar në kuptimin e uljes së pritjes së pacientëve për operacione gjithmonë ka vend për më u bo më shumë gjithmonë ka hapësira për t’u përmirësuar dhe mendoj që në këtë drejtim Qeveria është duke i marrë masat e nevojshme. Njëra prej masave të nevojshme që i ka marrë kjo Qeveri për shëndetësi është edhe rritja e pagave të punëtorëve shëndetësor. Ne para këtij mandati apo kolegët e mi specialist e kanë pasur rrogën dikund 600 euro që me kujdestari kanë mbërri 800 euro, ndërsa tani paga e specialistëve të cilët mbajnë edhe kujdestari i afrohet pagës 2 mijë euro dmth është një rritje signifikante më shumë se 100 për qind”, u shpreh Avdyli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.