Vrasja e të riut Lulzim Fejzullahu: Prokuroria vjen me detajet e fundit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të miturve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut nga Podujeva.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi.

“Po, është ngritur aktakuza më herët. Vepra është ‘Vrasje e rëndë’”, ka bërë të ditur avokati Gashi.

Në fillim, rasti ishte trajtuar si “Vrasje në tentativë”. Pas vdekjes së Lulzimit, rasti u ricilësua si ‘Vrasje’, dhe tani duket se Prokuroria e ka bërë kualifikimin përfundimtar si ‘Vrasje të rëndë’.

Dy të miturit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut kishin dalur para Prokurorisë më 13 shkurt.

Avokati i të dyshuarit Eltion Kadriu, Skender Musa ka folur.

Ai i ka thënë se klienti i tij, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Nuk i është keqësuar gjendja gjatë intervistimit në Prokurori. Gjendjen e ka pasë të keqësuar në aspektin emocional e psiqik prej momentit që e ka kuptuar se ka ndërruar jetë i ndjeri.”

Musa tutje ka thënë se klienti i tij, pra i dyshuari për vrasjen e Lulzimit është duke marrë medikamente.

“Është duke marrë medikamente që ia kanë përshkruar mjekët. Këtu veç ka shprehur keqardhje shumë, pak është emocionuar.”

Vrasja e Lulzimit Fejzullahut

Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasi një i ri humbi jetën pas një sulmi brutal nga disa persona. Lulzim Fejzullahu, 18 vjeçar, po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK pas sulmit brutal. Ai ndërroi jetë në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda të shkaktuara nga goditjet e forta në kokë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Lulzimi ishte goditur me veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke e lënë pa ndjenja.

Lulzimi po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK, pasi ishte goditur me një veturë dhe më pas sulmuar me shkopinj bejsbolli në një përleshje fizike me disa të mitur. Përpjekjet e mjekëve t’i shpëtuar jetën e tij nuk patën sukses – ai ndërroi jetë gjatë ditës së ndjeshme.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.

E kaluara e errët e të dyshuarve

Bazuar në disa dokumentacione të siguruara nga burimet brenda Policisë e Prokurorisë, ka marrë të dhëna për të miturin E.K, i cili është personi që shihet duke goditur me shufër viktimën.

Sipas këtyre dokumenteve të cilat nuk mund të publikohen për shkak se rasti është për të mitur, dhe janë konfidenciale, del se i mituri i dyshuar për rastin e Lulzimit, kishte qenë i dënuar nga Gjykata edhe më herët.

Madje, ai kishte pasur dosje të trashë në Polici e Prokurori.

Njëra prej rasteve ku i dyshuari për vrasjen e Lulzimit ka qenë i përfshirë dhe ka vendim të formës së prerë nga Gjykata, është për një therje me thikë në Podujevë. Ngjarja kishte ndodhur me datë 23 dhjetor 2021.

I dyshuari për vrasjen e Lulzimit me inicialet E.K, për motive absolutisht të ulëta, e kishte goditur me thikë më shumë se tri herë një nxënës tjetër me inicialet Y.R.

Deri te ngjarja dyshohet se kishte ardhur pas një problemi që kishte pasur viktima me një shok të tashmë të arrestuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut. Rasti ishte kualifikuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi e armëve”.

Sulmi me thikë ishte vërtetuar nga deklaratat e disa dëshmitarëve të cilat i ka parë gazeta nga raportet e Policisë e Prokurorisë, por që për shkak se rasti është për të mitur nuk mund të publikohen. Gjithashtu eksperti mjekoligjor kishte konstatuar se tashmë i dyshuari për vrasjen e Lulzimit, i kishte shkaktuar nxënësit tjetër plagë pas kokës, në kraharor, dy plagë në shpinë.

Sipas dokumenteve zyrtare të policisë, Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 23 tetor 2021. Kurse, po sipas të njëjtave dokumenteve, i dyshuari E.K ka qëndruar në paraburgim nga dhjetori 2021 deri në shkurt 2022. Pra, sipas këtyre dokumenteve, i mituri që dyshohet tash për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, aso kohe kishte qëndruar dy muaj gati në liri pasi kishte kryer therjen, e më pas ishte dërguar në paraburgim. Arsyet pse ka ndodhur kjo, sigurisht se mbeten të panjohura.

Për këtë vepër, Gjykata e kishte dënuar të miturin E.K me masë edukuese për dërgim në institucion edukatio-korrektues për 2 vjet. Por, kjo masë nuk do të hynte në fuqi, nëse ky i mitur nuk do të kryente ndonjë vepër tjetër penale.

Në disa dokumente që gazeta ka siguruar nga organet e rendit dhe informacionet që kemi siguruar nga familjarët, vendimi ishte marrë pasi “i mituri ishte shprehur i penduar, dhe se nuk do të kryejë vepra të tilla penale më”.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.