Kryeministri Albin Kurti ka shpalosur masat e ndërmarra nga ekzekutivi për mbështetjen e komuniteteve joshumicë gjatë tri vjetëve qeverisjeje. Ai ka përmendur krijimin e Fondit të veçantë për komunitetet joshumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove.
Tutje ai ka thënë se komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë. Ato sipas kryeministrit gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosova Generation Unlimited”, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.
“Në kuadër të Programit të Stabilizimit të Komuniteteve, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme përmes së cilave janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë, pjesa tjetër me orar të pjesshëm. Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian gjithashtu janë ndërtuar ose rinovuar 116 shtëpi, për të siguruar kështu kthim të qëndrueshëm për komunitetet joshumicë. E përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 3 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 4 milionë tjera gjatë viteve 2021-2024 për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komuna të vendit tonë”, ka shtuar Kurti.
Ai ka përmendur edhe themelimin e Grupit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, por edhe procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut. Gjithashtu, Kurti ka përmendur edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, krahas respektimit të ligjit për përdorim të gjuhëve në komunikata për media dhe njoftimet nga Zyra e Kryeministrit.
“Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Kurti.