Takimi i së enjtes në Bruksel, Stano: Asociacioni s’është temë kryesore por është prezent

Të enjten në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

Në lidhje me këtë takim nga Bashkimi Evropian kanë thënë se çështja e dinarit do të jetë tema kryesore e bisedimeve dhe jo ajo e Asociacionit.

Megjithatë sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano Asociacioni si çështje është prezent në secilin takim dhe se Kosova e ka obligim që ta formojë.

“Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një obligim tash e një kohë për Kosovën, kështu që duhet të përmbushet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë. Kështu që nëse Kosova nuk arrin që ta përmbush këtë, atëherë kjo nuk do të jetë shenjë pozitive e vullnetit për të ecur drejt normalizimit, që tani është i lidhur me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit.  Kjo është e para.

Tjetra është që takimi i kryenegociatorëve këtë të enjte, është e përqëndruar në çështje të tjera, që janë diskutuar edhe në javën e kaluar dhe atë paraprake në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje kryesisht për çështjen, implikimet ose pasojat e vendimit të BQK-së për përdorimin e dinarit.

Pra, Asociacioni si i tillë nuk është një prej temave kryesore por si çështje është prezente në secilin takim, dhe të gjitha ndërveprimet tona me partnerët në Kosovë, pasi që është një prej kushteve që urgjentisht duhet përmbushur sa më shpejt, pa vonesa të tjera”, ka thënë Stano.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje ka thënë se në takimin e kësaj jave mes palëve në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Leave a Reply

Your email address will not be published.