Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë qasjen në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një intervistë për ‘Euroactiv’ ka thënë se “BE-ja duhet të jetë më konkrete”.
“Nëse e kemi gjithmonë këtë lloj politike shumë të butë, do të flasim për të njëjtën gjë edhe pas 10 apo 20 vitesh. Kjo është një fatkeqësi sepse ne kemi humbur tashmë 20 vjet”, tha Abazoviq.
Ai ka shfaqur besimin se Kosova dhe Serbia “duan të shohin një marrëveshje përfundimtare” dhe “të tregojnë se ne nuk jemi më një rajon konflikti, por një rajon mirëkuptimi”.
Megjithatë, Abazoviq, ka pranuar se ajo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur.
Ndërkaq, duke folur për votën kundër të Malit të Zi ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE, në Komisionin për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Paralamentare të Këshillit të Evropës, Abazoviq theksoi se ky zhvillim është një ‘realitet i ri’.
Abazoviq tha se vota kundër Kosovës në KiE do të ishte “e pamundur nën mandatin e tij”.
“Ne ishim shumë të qartë në politikën tonë të jashtme. Ajo ishte 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha tutje ai.
Në lidhje me zgjerimin e BE-së, Abazoviq tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor është kyç.
“Nuk është diçka që është një favor për ne; por investim në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës dhe të kujtdo që dëshiron ta shohë Evropën si një superfuqi – një Evropë e bashkuar me të gjitha vendet tona”, shtoi Abazoviq.
DTV