ZRRE-ja merr vendim për kompensim të rrymës së paguar për komunat në veri

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka marrë vendim sot që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të kompensuar konsumatorët që kanë paguar rrymën edhe për komunat veriore.

Bordi i ZRRE-së ka vendosur të kompensojë vetëm konsumatorët, të cilët vërtetohet se kanë qenë aktivë dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06 shkurt 2012 deri më datën 20 tetor 2017.

“Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e katërt (IV) për këtë vit, të mbajtur sot, më datë 05 prill 2024, ka ndërmarrë veprimet ligjore për zbatim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka të bëjë me kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017”.

“Bordi i ZRRE-së, sipas Aktgjykimit të Gjykatës, ka vendosur të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët, të cilët vërtetohet se kanë qenë aktivë dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06 shkurt 2012 deri më datën 20 tetor 2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Sipas vendimit të Bordit të ZRRE-së, kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01 qershor 2024 deri më 28 shkurt 2030.

Leave a Reply

Your email address will not be published.