“Asterisku është në marrëveshjen kur i referohemi shteteve, mirëpo është pjesë e pajtimit që është bërë më herët në kontekstin e bashkëpunimit rajonal. Është e vetmja shenjë që e kemi trashëgimi në këtë proces të bashkëpunimit rajonal. Pjesa tjetër është me qytetarë, legjislacion të secilës palë”, ka thënë Zulfaj.
Megjithatë Kosova në këtë marrëveshje ku edhe Kurti ka vendosur firmën është paraqitur me fusnotë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka qëndruar në Berlin ku edhe janë nënshkruar tri marrëveshje në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj në “DESKU” të KTV-së me arsyetimin se “kjo është pjesë e pajtimit të mëhershëm”.
Megjithatë, sipas Zulfajt, tri marrëveshjet e nënshkruara të enjten i konsiderojnë të gjitha shtetet si të barabarta.
“Kemi insistuar që dokumentet që lëshohen të jenë legjislacionet në fuqi të secilit shtet. Pra secila palë e ka legjislacionin e saj. Diplomat janë të Republikës së Kosovës, letërnjoftimet janë të Republikës së Kosovës. Ky ishte problemi fillestar, që mund të ketë qasje më ndryshe ndaj Kosovës por s’e kemi pranuar”, ka thënë ai duke shtuar se të gjitha telashet janë tejkaluar “duke u pranuar parimi i barazisë”.
Në Berlin dje janë nënshkruar tri marrëveshje që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale.
Serbia është përfaqësuar nga kryeministrja Ana Bërnabiq meqë kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq s’ka udhëtuar drejt Berlinit.
Kurti është pyetur për mospjesëmarrjen e Aleksander Vuçiqit dhe ka thënë se s’është duke i munguar askujt .
Ndërkohë nga Serbia sot janë drejtuar akuza në adresë të Bërnabiq për nënshkrimin e marrëveshjeve. Lideri i “Dverit” Boshko Obradoviq ka thënë se kryeministrja serbe duhet të ndiqet penalisht meqë sipas tij ajo “e ka njohur Kosovën si shtet publikisht”.