Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekoruar post mortem pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, Bider i cili ka qenë pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, është dekoruar me Urdhërin “Hero i Kosovës, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës
Osmani ia ka dorëzuar Urdhërin vëllait të heroit, Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.
Presidentja Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.