Profesori amerikan në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben – Meir ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës pranon shtyrjen e vendimit për targa, kjo nuk kompromenton pavarësinë e vendit, por vetëm lejon kohë shtesë për një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë drejt njohjes së vendit.
Ben-Meir në një shkrim në Facebook, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet ta shohë kërkesën e SHBA-së dhe BE-së në kontektin e krizës pas luftës në Ukrainë.
“Nëse Kurti pranon shtyrjen e marrëveshjes së targave, kjo në asnjë mënyrë nuk do të komprometonte pavarësinë e Kosovës, thjesht do të lejonte kohë shtesë për të arritur një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë drejt njohjes së Kosovës. Shorti i Kosovës është hedhur me SHBA-në dhe BE-në dhe Kurti duhet ta shohë kërkesën e tyre për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes së targave në kontekstin e krizës për luftën në Ukrainë, e cila po shqetëson të gjithë kontinentin”, ka thënë ai.
Në fund, profesori amerikan bëri me dije se Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara nuk e kompromentojnë pavarësinë e Kosovës, pasi që janë garantuesit e saj.
“As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk duan të komprometojnë pavarësinë e Kosovës pasi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë garantuesit përfundimtarë të sigurisë kombëtare dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.