Rakiq jep dorëheqje si ministër, Lista Serbe vendos të largohet nga institucionet dhe Simiq nuk është më deputet në Kuvend
Lista serbe ka bërë sot të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.
Siç raportojnë mediat në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, takimi përfundoi vetëm pas gjysmë ore dhe kryetari i Listës Serbe ka lexuar konkluzionet e takimit.
Kështu, sipas tij, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, “deri në momentin që Prishtina të tërheqë vendimet për riregjistrim të automjeteve dhe të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe”.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Veç kësaj, kryetari i Listës Serbe dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Ndërsa Igor Simiq ka bërë të ditur se po dorëzon dorëheqje të parevokueshme si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Takimi ka qenë i mbyllur për publikun dhe kryetari i Listës Serbe ka njoftuar mediat se pas përfundimit do t’u drejtohet atyre dhe do të lexojë konkluzionet e arritura.
Pak para këtij takimi, në Beograd është mbajtur mbledhja e Qeverisë së Serbisë, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dorëzuar një raport për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.