Dhunimi i 11 vjeçares, RrGK reagon për dënimin e ultë për gjashtë të akuzuarit

Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur shqetësim të madh në lidhje me dënimin e dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje.

Sipas RrGK, vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet.

Në këtë rast, sipas RrGK gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit, të cilin e vlerësojnë si skandaloze dhe të papranueshme.

“Ne si shoqëri, përfshirë Rrjetin e Grave të Kosovës, shprehim një shqetësim të thellë në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunimit nga institucionet e drejtësisë. Është thelbësore që gjykatat të kuptojnë peshën dhe ndikimin e këtyre rasteve në shoqëri dhe të ndërmerren veprime me seriozitet dhe dinjitet në trajtimin e tyre”, thuhet në reagim.

Rrjeti i Grave konsideron se dënimet minimale që shqiptohen për këto vepra shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë.

“Kjo situatë i dekurajon viktimat e dhunës për të raportuar rastet e tyre dhe e bën më të vështirë për ta gjetur besimin në sistemin e drejtësisë. Rrjeti i Grave të Kosovës do të vazhdojë të monitorojë reagimin institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe të angazhohet për të siguruar mbështetje dhe drejtësi për viktimat e këtyre veprave të tmerrshme. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe ndihmë për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800”, përfundon reagimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 62 vjet burgim të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vejçares.

Sipas njoftimit Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Mitur ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R, G.S dhe E.S.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.