/

IKD: Projektligji për tekste shkollore s’pati vota të mjaftueshme, procesi të kthehet në pikën zero

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se projektligji për teskte shkollore duhet të kthehet në rivotim për shkak se ekzistojnë dyshime mirë të bazuara se nuk ka pasur vota të mjaftueshme në Kuvend

Përveç deputetëve e partive politike, tashmë edhe organizatat joqeveritare po kërkojnë që projektligji për tekste shkollore të kthehet në pikën zero, për shkak të dyshimeve se nuk ka pasur kuorum në ditën që është votuar në Kuvend.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se ky proces është monitoruar me precizitet dhe se del që votimi është i dyshimtë.

Sipas tij ky proces duhet të kthehet në pikën zero.

“Si institut i Kosovës për Drejtësi, këtë çështje e kemi monitoru me precizitet dhe kemi parë që votimi për këtë projektligj shihet që është i dyshimtë që ka marrë numrin e votave e mjaftueshme prej 61 sa duhet me marrë pjesë në procesin e votimit. Në këtë rast ky projektligj do duhej që të rikthehej në votim për lexim të parë, që të dihet përfundimisht se a do të kalojë në lexim të parë apo jo nga votimi që është bërë në atë seancë shihet që nuk janë votat e mjaftueshme për kalimin e këtij projektligji”, tha ai.

Jakaj u shpreh se kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe administrata duhet të japin përgjegjësi derisa theksoi se në situatën aktuale votimi me mungesë transparence në Kuvend është i dëmshëm për demokracinë parlamentare.

“IKD konsideron se rezultati ne lidhje me këtë projektligj, kontestimin qe ua kanë bërë organizatat e shoqërisë civile përfshi edhe IKD është i dëmshëm për demokracinë parlamentare gjë për të cilën përgjegjës në vija politike është kryetari i Kuvendit dhe administrata. Kryetari i Kuvendit do duhej që për shqetësime të tilla të deklarohet publikisht në seancë plenare dhe të dal me një raport të cilin ai duhet ta nënshkruaj, siç e ka nënshkruar projektligjin kur konstaton se votat janë marrë 62 vota të caktuara”, tha ai.

Ai ritheksoi se procesi i votimit nuk ka legjitimitet dhe se IKD e ka verifikuar që s’ka pasur vota të mjaftueshme për të kaluar projektligji për tekste shkollore.

“Për funksionimin e mirëfilltë të Kuvendit përgjegjës është kryetari dhe kryesia, me rregullore përgjegjës për çështje administrative përgjigjen kryetari dhe kryesia, pastaj çështjet e tjera ndjeken prej administratës duke përfshi sekretari që zgjedhet prej kryesisë. Përgjegjësia i përket pushtetit politik, të sjellin një njoftim që të nënshkruhet nga kryetari . Si proces nuk ka legjitimitet te plote si shkak i dyshimeve të cilat si IKD i kemi verifiku qe s’kanë qenë vota të mjaftueshme për kalimin e këtij projektligji… Si proces është i dyshimtë duhet të kthehet në pikën zero”, tha Jakaj për Dukagjinin.

Ky projektligj ka ngjallur shqetësime edhe te partitë opozitare dhe disa deputetë të pushtetit, të cilët kanë kërkuar sqarime nga Kuvendi për votimin në fjalë.

Deputetët e opozitës e kanë cilësuar të kontrabanduar projektligjin në fjalë, duke e akuzuar ministren e Arsimit Arbërie Nagavci duke thënë se me qëllim po e shtyn përpara një ligj i cili nuk ka kaluar në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.