Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka pritur në takim ministrin e Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi.
Projektet që do të realizohen nga kjo marrëveshje në bashkëfinancim nga Komuna e Vushtrrisë dhe MMPHI janë:
Projekti i rrugës R220 nga Ura e Sitnicës deri tek Llamkos;
Projekti i rehabilitimit të rrugëve në fshatrat Akrashticë-Balincë;
Projekti i rehabilitimit të rrugës nga magjistralja N2 Dumnicë e Ulët-Dumnicë e Epërme;
Projekti i rehabilitimit të rrugës “Dëshmorët e Kombit.
Ministri Aliu deklaroi se marrëveshja e nënshkruar kap vlerën e 590 mijë euro për katër projekte duke u shprehur i lumtur nga mundësia e realizimit të këtyre projekteve.
“Sapo patëm kënaqësinë që së bashku me kryetarin e Vushtrrisë të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për katër projekte në vlerë diku prej 590 mijë euro, është shumë kënaqësi që do të kemi mundësi ti zhvillojmë këto projekte po ashtu edhe projekte tjera që janë në realizim e sipër që po synojmë ti realizojmë në të ardhmen. Bashkëpunimin me komunën e Vushtrrisë e kemi jashtëzakonisht të mirë kështu që po uroj që këto punë të na ecin mbarë dhe të realizojmë përpos këtyre projekteve edhe projekte tjera që na presin”, ka thënë ministri Aliu.
Aliu shtoi se përveq marrëveshjes së nënshkruar sot, bashkëpunimi me komunën e Vushtrrisë do vazhdojë tutje me projekte që ndërlidhin komunat përrreth.
“Përpos bisedës që e patëm me kryetarin për këto projekte që i nënshkruam sot patëm diskutime tjera, pra kemi një projekt i cili ka qenë si ide nga kryetari i komunës së Vushtrrisë në vizitat e mëhershme që i kemi pas i cili po merr përkrahje nga komunat që i lidh disa komuna e që jemi në përmbyllje të marrëveshjeve mes komunave e i cili pastaj do të mund të merr mbështetje nga ana e ministrisë për realizimin e që është një ide jashtëzakonisht e mirë e që e falënderoj kryetarin e Vushtrrisë për këtë marrëveshje”, ka thënë Aliu.