Konjufca takon zëvendëspresidentin e MCC-së, i shpreh mirënjohje për kontributin në ecurinë zhvillimore të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, priti sot në takim Zëvendëspresidentin e Operacioneve Kompakte të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. 

Në takim u bisedua për bashkëpunimin aktual ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, përfshirë çështjen e nisjes së Programit Kompakt multimilionësh për sektorin e energjisë, si dhe u shqyrtuan planet për të ardhmen dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët.

Kryetari Konjufca falënderoi përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe theksoi rëndësinë e projekteve me ndikim pozitiv në mirëqenien e qytetarëve, duke shprehur njëherësh mirënjohje për kontributin e çmuar të MCC-së në ecurinë zhvillimore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi po ashtu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen.

Zëvendëspresidenti i MCC, Cameron Alford u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe potencoi nevojën e angazhimit të mëtejshëm për realizimin e projekteve zhvillimore, në linjë me avancimin e kuadrit legjislativ që mbështet investimet.

Takimi u vlerësua si një rast i mirë për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin në drejtim të qëllimeve të përbashkëta për zhvillim të gjithmbarshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.