Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se vlerësimi kreditor që Kosova e mori sot nga Fitch Ratings është lajm i mirë, “por asgjë për t’u krenuar”.
“ Lajm i mirë, që për Kosovën është bërë vlerësimi kreditor, nga Fitch Ratings, por asgjë për tu krenuar me vlerësimin kreditor, në kategorinë BB-. Në fakt duhet të shqetësohemi”, shkroi Rukiqi në një postim në Facebook.
“ Nuk mund të pritet vlerësi kreditor më i mirë, për një vend nën sanksione, zyrtarët e të cilit flasin çdo ditë për luftë, si dhe me deficit tregtar 5 miliardë euro dhe pa asnjë investim serioz në ekonomi”, shtoi ai.
“ Për ata që nuk janë ekonomista, po e thjeshtësoj pak terminologjinë. Çka është “vlerësimi kreditor” (Credit Rating), për shtetet në kategorinë BB-, i sapo publikuar për Kosovën? Në gjuhën financiare, kur një kompani ose shtet vlerësohet me “BB”, kjo do të thotë se ka një rrezik më të lartë për ata që japin para borxh për atë shtet ose kompani. Është si të thuash se dikush ka një histori jo shumë të mirë të pagesave, është borxhli i keq, prandaj kur ai merr borxh, ka më shumë gjasa të mos e paguajë atë borxh në kohë ose të mos e paguaj fare. Pra, “BB” është si një notë një nxënësi në libreze. e që është notë më poshtë mesatares (nota 2-)”, shkroi Rukiqi.