Radio Televizioni Publik i Kosovës është gjobitur për 1500 euro nga Inspektorati i Punes për shkak te paligjshmërisë në punësime, avancime e të tjera.
Në vendimin e Inspektoratit, të cilën e ka publikuar Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, thuhet se është shkelur neni 8 (Konkursi Publik) sipas të cilit Punëdhënësi është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie pune.
Sipas vendimit të Inspektoratit, RTK-ja obligohet që në afat prej 30 ditësh ta paguajë gjobën, në të kundërtën inicohet procedurë përmbarimore.
“Sindikata e Pavarur e RTK-së është e shqetësuar për shkak të paligjshmërive të shumta të cilat nuk kanë të ndalur, si pasojë e të cilave po dëmtohet buxheti edhe ashtu i varfër i RTK-së”, thuhet në një njoftim të sindikatës.
Vetëm përgjatë vitit të kaluar, gjobat e shqiptuara nga Inspektoratit i Punës ndaj RTK-së kapin shifrën e rreth 20 mijë eurove.