Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i pyetur për zbatimin e marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia, ka thënë se përtej akuzave reciproke në mes të palëve në proces, realiteti është se Kosova dhe Serbia kanë një listë të obligimeve të paplotësuara dhe asnjëra ende s’ka filluar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit.
Lajcak ka thënë se zbatimi duhet të nis menjëherë në mënyrë që Kosova dhe Serbia të nisin përmbushjen e obligimeve të tyre në mënyrë paralele dhe hap pas hapi duke u bazuar në parimin se të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
Emisari sllovak ka thënë se fokusi duhet të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa dhe sipas tij përgjegjësitë janë të qarta. Kur e thotë këtë, Lajçak potencon se i takon Kosovës që të nis procedurën e themelimit të Asociacionit dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe se i takon Serbia që të përmbush obligimet e saj të shumta në mënyrë paralele duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve, siç parashihet në planin e sekuencimit.
“Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – dhe jo në veprimet apo deklaratat publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, ka thënë Lajcak për Kosovo Online