Institucionet e Kosovës, më 07.05.2024, janë përballur me sulme kibernetike.
Kryeministri Albin Kurti, thotë se dyshimet janë që sulmet mbi ueb faqet zyrtare të institucioneve kanë ardhur nga Federata Ruse.
Por, sipas tij, faqet zyrtare megjithatë janë rikthyer.
“[Sulmet]… ndoshta kanë ardhur edhe nga veglat e tjera që ata [Federata Ruse] i kanë rrotull kontinentit tonë” -ka shtuar kryeministri.
E, ministrja e Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz e cila e para e dha lajmin për këto sulme, tha se ato kanë ardhur “pas njoftimit tonë për mbështetje në pajisje ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus”.
Gjatë takimit të 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci kishte konfirmuar se Kosova do të kontribuojë me një paketë të parë të ndihmës ushtarake. Paketa përfshin “dhjetëra kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake.”
Në vijim, Maqedonci shtoi se gjithashtu është në përgatitje një paketë e dytë mbështetëse që përmban mijëra predha të mortajave dhe do të dërgohet shumë shpejt për t’u përdorur nga forcat ushtarake ukrainase.
Një sulm hibrid është një lloj sulmi kibernetik ku përdoret më shumë se një mjet për të hyrë në një pajisje ose rrjet.
Kosova, me kapacitetet e saja, që nga shkurti i vitit 2022, është munduar të ndihmojë shtetin që po ballafaqohet me pushtimin e një pjese të territorit nga Rusia.
Për shkak të marrëdhënieve të mira me Rusinë, Serbia nuk ka vendosur sanksione as në fillim të luftës e as tani ndaj Rusisë pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Europian.
Më 02.05.2024, NATO u shpreh “thellësisht e shqetësuar” për sulmet kibernetike në Republikën Çeke, Estoni, Gjermani, Letoni, Lituani, Poloni dhe Britani, që vijnë nga Rusia.
“Këto incidente janë pjesë e një fushate të intensifikuar të aktiviteteve që Rusia vazhdon t’i kryejë në të gjithë zonën euro-atlantike, përfshirë territorin e Aleancës dhe nëpërmjet grupeve që Moska i mbështet”, shkruhej në deklaratën e NATO-s.