Universiteti Publik “Kadri Zeka” nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku riakreditohet në nivelin institucional për periudhën pesëvjeçare

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 122-të, mbajtur  më datë 22 prill 2024,  ka marrë vendim që Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan të ri-akreditohet në nivel institucional për periudhën pesëvjeçare.

Ri-akreditimi i Universitetit Publik “Kadri Zeka” për një periudhë prej pesë vjetësh shënon një arritje të rëndësishme nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Rektorit Artan Demaku. Ai  brenda një kohe shumë të shkurtë, ka arritur të stabilizoj të gjitha proceset brenda Universitetit, si edhe të fitoj akreditimin institucional për një kohëzgjatje maksimale sipas ligjit aktual në Kosovë. Përpjekjet e tij të përkushtuara dhe vizioni strategjik kanë qenë thelbësore në navigimin e procesit të ri-akreditimit institucional, duke siguruar që universiteti të përmbushë standardet më të larta të arsimit cilësor, përfshirë edhe programet e reja moderne e unike në Kosovë. Kjo arritje thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë palëve të interesit drejt një qëllimi të përbashkët për avancim dhe përparim në fushën e arsimit në Kosovë.

Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti. Për ri-akreditimin e UKZ-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit/alumnit, punëdhënësit si dhe Kryetarët e Komunave të Gjilanit dhe Kamenicës, Kryetarin e Bordit Industrial dhe  Këshillin e Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC).

Rektori Dërmaku për Ideksonline falënderoi të gjithë akterët, duke filluar nga studentët, stafi akademik dhe administrativ, anëtarët e Këshillit Drejtues, Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Z. Alban Hyseni, Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Z. Kadri Rahimaj, Kryetarin e Bordit të Këshillit Industrial, Avokatin Arsim Vranovci, Përfaqësuesen e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC), MBA  Delvina Vranovci dhe menaxhmentin e UKZ-së për punën e palodhshme në ngritjen dhe avancimin e Universitetit, duke i siguruar të gjithë se edhe pse do të ketë shumë sfida, Universiteti do të zhvillohet, profilizohet dhe do të jetë bartësi kryesor i zhvillimeve jo vetëm në rajonin e Anamoravës por gjithë Kosovës dhe më gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.