“Duke marrë parasysh situatën aktuale të rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve bazë, si dhe ankesave të shumta të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve tek të gjitha produktet bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria ka hartuar ligjin i cili do të aplikohet në rastet e destabilizimit në treg”, ka thënë Hajdari.
Me 64 vota për, asnjë kundër e abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazike. Po ashtu, janë votuar 16 amendamentet e parapara.
Ky Ligj parasheh disa produkteve t’iu vendoset çmimi tavan.
Gjatë shqyrtimit që është bërë nga deputetët nga opozita kanë shprehur kritika ndaj këtij Ligji duke e kualifikuar atë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pati theksuar se ky Ligj është hartuar për shkak të rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë duke shtuar se do të aplikohet në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Produktet e parapara në Projektligjin e Masave të Përkohshme në raste të veçanta të destabilizimit në treg | Burimi: Kuvendi i Kosovës
Lëndët e drurit për djegie, buka dhe vaji ushqimor janë disa nga produktet që pritet të vendoset çmimi tavan. Përveç këtyre produkteve, në këtë listë do të përfshihen drithërat, mielli i grurit, orizi, pastat, qumështi, kripa e kuzhinës, sheqeri kristalor, vezët e pulës, mishi i pulës dhe produktet higjienike.
Po ashtu, në këtë listë do të përfshihen edhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë së Kosovës.
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në shtator të vitit të kaluar.