“Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveçanit”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas njoftimit, vetura ishte pronë e një femre nga komuniteti serb. Policia e Kosovës njoftoi të martën se është djegur edhe një veturë në Zveçan, për shkak të konvertimit të targave nga ilegale në RKS.
Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet, përderisa Policia e Kosovës tha se lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore.
“Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, që nga 1 shtatori, në veri të vendit janë regjistruar edhe katër raste tjera të djegies së veturave apo pronës së qytetarëve, të cilët i kanë konvertuar targat nga ato ilegale që lëshohen nga Serbia, në legale të Republikës së Kosovës – RKS.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë thënë se Serbia dhe strukturat “ilegale” në veri, po tentojnë të frikësojnë qytetarët, të cilët po e zbatojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat.