Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se në takimin që e mbajtën sot Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, nuk është adresuar rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
‘’Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm.’’ ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Në takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i mbajtur në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, nuk u adresua rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qendrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm.
Në dy vitet e fundit shqyrtimet e detajuara të disa instancave të Këshillit të Evropës kanë konfirmuar që Kosova duhet të behët anëtare e kësaj organizate. Në këtë periudhë të shkurtë, procesi i anëtarësimit shënoi përparim të jashtëzakonshëm:
Në shtator të vitit 2022, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfirmoi që nuk ka asnjë pengesë ligjore që Kosova të bëhet anëtare e plotë, sipas nenit 4, pra si shtet evropian;
Në tetor të vitit 2022, për herë të parë u fitua e drejta e fjalës për delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
Në prill të vitit 2023, Komiteti i Ministrave miratoi fillimin e procedurës së anëtarësimit. Ky sukses u arrit pas sigurimit të më shumë se 2/3 të votave të nevojshme në favor dhe pas konstruktivitetit të 5 nga 12 vendet mosnjohëse në këtë organizatë;
Në nëntor 2023, pas vizitës fakt-mbledhëse dhe analizës së detajuar të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Kosovës, Juristët Eminent konfirmuan që Kosova i plotëson standardet e Këshillit të Evropës, madje në disa çështje i tejkalon standardet ndërkombëtare;
Në mars të vitit 2024, tri raportueset politike të drejtuara nga Dora Bakoyannis konfirmuan që Kosova ka plotësuar të gjitha parakushtet e nevojshme dhe duhet të bëhet anëtarë e plotë e organizatës;
Në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi opinionin e saj ku bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni u votua me mbi 80% të votave në favor të anëtarësimit.
Pra, tashmë nuk mbetet asnjë hap tjetër përveç votimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm, sipas Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por, ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyerja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel.
Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian.
Shtyerja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyerja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkdhelja vitin e kaluar.
Sidoqoftë, progresi në dy vitet e fundit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm. Kosova tashmë ka të gjitha vlerësimet e nevojshme dhe mëse pozitive nga të gjitha instancat relevante të kësaj organizate. Ajo pashmangshëm do të jetë anëtare e plotë, e barabartë mes të gjitha anëtareve të tjera, si rezultat i meritës së saj.