Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një konferencë për media, ka folur për letrën e drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
“Zotimi ynë në letrën dërguar Këshillit të Evropës është zotim serioz dhe i sinqert dhe është ripërsëritje e ofertës së kryeministri Kurti dhënë në Ohër, Bruksel dhe javëve të fundit”, tha ajo.
Kryediplomatja kosovare tha se Kosova që nga aplikimi për Këshilli të Evropës ka lobuar që të jetë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme. Gërvalla theksoi se qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin dhe se shpreson se zotimi i saj të përmbushet.
Sipas saj, po të konsiderohej se letra është e vonuar do ta kishin dërguar më herët dhe se nuk do e kishin dërguar sot.
Ministrja theksoi se pret që pas kësaj letre Këshilli i Evropës të bëj hapa për ta ftuar Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj organizate.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbush pjesën e vet të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë KiE-së si vendi të cilit jo vetëm që janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por si vendi që i ka përmbushur këto kushte”, tha shefja e diplomacisë kosovare.