2500 euro do të jetë abonimi për një vit në këtë parking, për këtë ka pasur ankesa nga qytetarët nëpër rrjetet sociale – mendojnë që është shtrenjtë.
Çmimet e parkingut nëntokësor janë vendosur nga Komuna e Prishtinës dhe janë pranuar nga kompania ndërtuese e parkingut “Parking Center”.
Korab Fazliu, drejtor menaxhues i kompanisë “Parking Center”. ka thënë se çmimet nuk janë të larta, kur parkingu ofron siguri për veturat dhe është në qendër të kryeqytetit.
“Komuna i ka vendosur çmimet dhe janë disejnuar në atë formë sa mos të jemi konkurrent me Prishtina Parkingun, sepse nuk jemi konkurrent”, ka thënë ai.
“Ky nuk është parking i lagjeve, por i kryeqytetit”, ka thënë Fazliu.
Thotë se çmimi i lartë për abonime gjashtë mujore dhe një vit është bërë me idenë që mos të ketë parkingje të rezervuara.
“Kur e paguan parkingun ai është i yti për 24 orë dhe për këtë duam që sa më shumë qytetarë të kenë qasje në parking”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se çmimi për një orë do të jetë 1 euro dhe pasi vetura të jetë e pranishme në parking për 4 orë më pas çmimi ulet dhe bëhet 80 centë.
Fazliu ka treguar për kushtet që i plotëson parkingu nëntokësor duke i arsyetuar çmimet që thotë se janë të ngjashme me “Prishtina Parkingun”.
Sipas tij, investimi ka shumë i madh dhe rrjedhimisht ndërtimi është standard duke e pasuar edhe koston ditore për parking.