Tetë për qind rënie. Për kaq parashihet të jetë zvogëluar popullsia e Kosovës që nga viti 2011, kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Lajme të ngjashme morën edhe shtetet e tjera të rajonit nga proceset e tyre të fundit të regjistrimit të popullsisë. Mali i Zi është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor që pati rritje të popullsisë nga procesi i parafundit i regjistrimit në atë të fundit.
Pse ka tkurrje të popullsisë?
Në rastin e Kosovës, një nga shkaqet mund të vërehet në raportet vjetore të ASK-së. Dhjetëra mijëra persona largohen çdo vit nga Kosova drejt vendeve të huaja. Arsyet e tyre janë të ndryshme: bashkim familjar, gjetje e një vendi të punës, studime afatgjate etj.
Gjashtë muaj më parë, ASK-ja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2022, Kosovën e lëshuan mbi 41 mijë persona, kryesisht me destinacione drejt vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së, Turqisë e Kanadasë.
Lirim Krasniqi, drejtor në organizatën Germin që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se “humbja e popullsisë mund të arsyetohet me emigrimin e lartë në 12 vjetët e fundit”.
“Nëse e marrim që numri i të larguarve nga Kosova është mesatarisht 25 mijë deri në 30 mijë në vit, rezulton që kemi humbje të popullsisë deri në 350 mijë persona që nga regjistrimi i fundit i popullsisë”, thotë Krasniqi.
Një tjetër indikacion se numri i popullsisë është ndikuar nga niveli i lartë i emigrimit, thotë Krasniqi, është edhe numri i qytetarëve që heqin dorë nga shtetësia e Kosovës për të marrë nënshtetësi në vendet që s’lejojnë nënshtetësi të dyfishtë.
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 693 persona kanë aplikuar për t’u liruar nga nënshtetësia kosovare, me qëllim që të marrin nënshtetësinë e vendeve si Gjermania, Austria, Mali i Zi etj.
“Mbetet të shihet rezultati final, veçanërisht kur të merren edhe të dhënat për regjistrimin nga diaspora, sepse kjo do të na ofrojë një shikim më të saktë rreth kësaj hipoteze [se emigrimi ka ndikuar në rënien e popullsisë]”, thotë Krasniqi.
Për diasporën, mundësia e regjistrimit online përmes platformës eDiaspora do të mbetet e hapur deri në gusht.
Por rënia e supozuar e popullsisë është më e madhe sesa numri i personave që raportohet se kanë emigruar nga vendi gjatë 13 vjetëve të fundit, ose që nga regjistrimi i vitit 2011.