Në këtë mbledhje, KQZ miratoi rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të Listës Serbe. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka diskutuar për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr nga radhët e komunitetit serb.
“Bazuar në kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të dorëzuar më 8 nëntor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vepruar në pajtim me nenin 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lëndët KI45/20 dhe KI46/20, rekomandon nëntë (9) kandidatët e radhës nga subjekti politik “Lista Serbe” dhe një (1) kandidat nga subjekti politik GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – GI SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021”, u tha gjatë mbledhjes.
Më poshtë ua sjellim emrat e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe dhe emrat e propozuar për zëvendësim:
- Slavko Simiq propozohet të zëvendësohet me Milan Kostiq nga Lista Serbe
- Igor Simiq propozohet të zëvendësohet me Zoran Maksimoviq nga Lista Serbe
- Miljana Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe
- Zoran Mojsiloviq propozohet të zëvendësohet me Milan Joksimoviq nga Lista Serbe
- Verica Çeraniq propozohet të zëvendësohet me Ksenija Bozoviq nga Lista Serbe
- Branislav Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Rados Mihajloviq nga Lista Serbe
- Milosh Pervoviq propozohet të zëvendësohet me Nenad Radenkoviq nga Lista Serbe
- Ljubinko Karadzhiq propozohet të zëvendësohet me Svetislav Jokiq nga Lista Serbe
- Jasmina Dediq propozohet të zëvendësohet me Biljana Maksiq nga Lista Serbe
- Dragana Antonijeviq propozohet të zëvendësohet me Cvetko Veljkoviq nga GI SPO
Më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërkaq me 7 nëntor edhe zyrtarisht dorëzuan mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.