Bassuener ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i këtij plani është të mos insistohet në njohje reciproke mes dy vendeve.
Ai e ka cilësuar këtë plan si diskriminues ndaj Kosovës, ndërsa ka thënë se është edhe ndër faktorët kryesorë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Plani franko-gjerman i publikuar nga rrjeti mediatik Euroactiv, nëse është autentik, konsiderohet si shpërblim për Beogradin për përshkallëzim të situatës dhe presion mbi Prishtinën, sipas Kurt Bassuener, nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit (Democratization Policy Council), me seli në Berlin.
Në një dokument të publikuar nga rrjeti mediatik i specializuar në politikat e Bashkimit Evropian, Euroactiv, më 9 nëntor, thuhet se marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë do të bazohen në të drejta të barabarta dhe se Kosova dhe Serbia do të udhëzohen nga qëllimi i përbashkët i anëtarësimit në BE.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, deri në publikimin e kësaj interviste.
Kancelari gjerman Olaf Scholz e konfirmoi më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Për Prishtinën, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka komentuar për këtë temë deri në momentin e publikimit të artikullit.
Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.
Kosova nisi më 1 nëntor zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, përkundër insistimit nga komuniteti ndërkombëtar për shtyrjen e këtij plani. Në shenjë proteste, serbët e veriut, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Me sa duket, plani franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë ka dalë në publik. Edhe pse njohja nuk përmendet në mënyrë eksplicite në plan, megjithatë thuhet se të dyja palët do ta “riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit që ekziston ndërmjet tyre”. A e shihni këtë praktikisht si njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia?
Bassuener: Jo, nuk e shoh. Mendoj se, në themel, ai artikull tenton ta paralajmërojë Serbinë të mos e kalojë kufirin në veri të Kosovës. Nuk e shoh këtë as si njohje implicite të Kosovës. Ka elemente të tjera në atë plan franko-gjerman që janë mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që mua më është dukur interesant për planin e publikuar, që nuk e ka mohuar askush deri tani, është mënyra se si është në kundërshtim me deklaratat që kancelari Scholz i bëri kur e vizitoi rajonin. Ato ishin shumë më të qarta dhe më të drejtpërdrejta për Beogradin sa i përket nevojës për njohje të pavarësisë së Kosovës nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Dhe, kjo më duket se po e rivendos qëllimin fillestar të dialogut, qëllimit që e kishte edhe paraardhësja e Scholzit, kancelarja Angela Merkel, kur i tha ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, para 11 vjetëve pak a shumë të njëjtën gjë.
Fakti që ai po distancohet nga kjo më duket një tentim për ta qetësuar situatën, jo për ta zgjidhur atë.
Si mendoni se mund të zgjidhjet kriza lidhur me targatdhe largimin e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës?
Bassuener: Unë frikësohem se zgjidhja e kësaj do të jetë që Qeveria e Kosovës të tërhiqet dhe të përmbahet nga zbatimi i vendimet për regjistrimin e veturave. Nëse është kështu, dhe kështu më duket mua, do të ishte pikë së pari një shpërblim për përshkallëzimin e shkaktuar nga Serbia. Gjithashtu, do të ishte një shenjë diskriminimi nga politikat perëndimore drejt tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse po i jep të drejta palës së fuqishme dhe po i bën presion palës më të dobët me qëllimin për të arritur një marrëveshje çfarëdo për ta qetësuar situatën.
Kam frikë se ky është qëllimi i Berlinit, Parisit, Uashingtonit dhe Brukselit, dhe se ata e shohin zgjidhjen e kësaj krize në një mënyrë që… së pari, ta shtyjnë Prishtinën të heqë dorë nga zbatimi i vendimit për targa dhe, së dyti, t’i bëjnë presion Prishtinës për t’i pranuar kushtet e kësaj marrëveshjeje që do të ishte praktikisht një tërheqje nga qëllimet e deklaruara më herët.
Termi i përdorur në dokumentin e publikuar është “normalizim” e jo “njohje”, që përfshihet edhe në kapitullin e 35-të të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE. Implikimet kanë qenë gjithmonë në drejtim të njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve, që është politika që po përkrahet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
A e shihni propozimin franko-gjerman për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si prapavijë të krizës aktuale, si u sugjerua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?
Bassuener: Pa dyshim që është një ndër faktorët kryesorë. Mendoj se shkas për krizën mund të ketë qenë çështja e targave, por qëllimi është të rindërtohen marrëdhëniet dhe të bëhet presion ndaj Kosovës për pranimin e atyre kushteve. Në këtë aspekt, unë nuk do ta konsideroja planin franko-gjerman si prapavijë të kësaj krize. Kjo është padyshim mënyra se si Perëndimi e sheh rrugën për t’i qetësuar tensionet aktuale. Por, sipas interpretimit tim të dokumentit të publikuar, ai de-përshkallëzim nuk do të çonte realisht drejt zgjidhjes së problemit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në disa raste se status quo-ja dhe konfliktet e ngrira nuk janë të mira. Megjithatë, a e shihni këtë situatë tani si tentim të Serbisë për ta mbajtur ndoshta status quo-në? Përmes këtyre lëvizjeve, a po e shfaq Serbia me të vërtetë qëndrimin se nuk do që status quo-ja të vazhdojë përgjithmonë në çështjen e Kosovës?
Bassuener: Kam frikë se Aleksandar Vuçiq nuk ka hequr dorë kurrë nga plani për ndarjen e Kosovës. Gjithashtu, ajo që shohim është se ai po përpiqet t’i pozicionojë gjërat ashtu që të mbeten të pazgjidhura, në mënyrë që kjo “zgjidhje” të merret sërish në konsideratë nëse ka ndryshim në narrativë ose nëse lodhen partnerët evropianë.
Sipas mendimit tuaj, cilët mund të jenë hapat e radhës konkretë të SHBA-së dhe BE-së?
Bassuener: Unë supozoj se ata do të qëndrojnë të vendosur në këtë marrëveshje, e cila pothuajse tashmë është përfunduar, dhe se ata do të fokusohen në atë dhe jo në mobilizimin e Serbisë në kufi dhe tërheqjen e (serbëve) nga (institucionet e Kosovës). Ndoshta pika kyçe do të jetë arritja e një marrëveshjeje politike para se ata të shpallin me zë të lartë dhe qartësisht se dhuna nuk mund të jetë opsion, pasi ajo do të parandalohej nga KFOR-i (misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë), i cili mund të jetë hapi i parë drejt zbutjes së përshkallëzimit të situatës në një mënyrë të arsyeshme.
Kjo nuk duket të jetë qasje e pranueshme nga Perëndimi, kështu që unë mendoj se fokusi më i madh do të jetë në përpjekjen për t’i bindur Prishtinën dhe Beogradin ta nënshkruajnë dhe miratojnë atë marrëveshje.
A përfiton Rusia nga kriza aktuale dhe në çfarë mënyre?
Bassuener: Po, padyshim që është në dobi të tyre. Para së gjithash, interesi i theksuar i Rusisë në rajon është të sigurohet që demokracia dhe shteti i së drejtës të mos vendosen dhe të kërcënojnë orientimin e këtyre vendeve drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Serbia ka deklaruar se nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO, dhe kjo është në rregull, është një vendim sovran.
Por, Rusia përfundimisht nuk dëshiron që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë, ajo dëshiron të ruajë ndikimin e saj dhe gjithashtu dëshiron ndarje jo vetëm brenda vendeve të rajonit, por edhe brenda Perëndimit.
Mendoj se Rusia përfiton më së shumti nga kriza aktuale.
Aleksandar Vuçiqi ka arritur të ruajë modelin e tij të biznesit të arbitrazhit gjeopolitik, në mënyrë që të shihet si një figurë qendrore në Perëndim dhe, në të njëjtën kohë, të mos heqë dorë nga asgjë, praktikisht ‘i ulur në dy karrige’, siç ka thënë ish-ndihmësi i zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt-Ye [në vitin 2017]”.
Nga perspektiva e së tashmes, sa janë Beogradi dhe Prishtina larg arritjes së marrëveshjes finale për normalizim?
Bassuener: Besoj se janë shumë larg. Unë nuk mendoj se ata janë më afër sot sesa disa vite më parë. Mendoj se kjo është Serbia dhe kam frikë se ajo që po planifikon Uashingtoni, është të përpiqet ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të përkulet, gjë që nuk mendoj se do të ndodhë, ose të ushtrojë presion mbi Qeverinë aktuale në Prishtinë apo një qeverie tjetër në të ardhmen që të pranojë më pak se njohjen formale, që, siç e kuptoj unë, është qëndrimi aktual i presidentes dhe kryeministrit të Kosovës.
Pra, mendoj se Beogradi dhe Prishtina janë shumë larg arritjes së një zgjidhjeje të përhershme për këtë mosmarrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Fatkeqësisht, Perëndimi po synon më pak se që duhet për të arritur stabilitet të vërtetë funksional dhe demokraci në të dyja shtetet. Mbajtja e kësaj çështjeje të hapur rrezikon llogaridhënien, demokracinë, shtetin e së drejtës, të gjitha ato standarde në të cilat BE-ja këmbëngul tani janë lënë anash përderisa punohet drejt një marrëveshjeje ndërqeveritare, e cila tani është prioritet.
Kjo veçanërisht është në dobi të Vuçiqit, por jo domosdo vetëm në dobi të tij. Dhe, ky është problemi. Sepse, në të njëjtën kohë kur Perëndimi bën thirrje për mbështetje të demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor në luftën e Ukrainës me pushtuesit rusë, të njëjtat gjëra nuk po kërkohen në Ballkanin Perëndimor. Në Ballkanin Perëndimor synimi është stabiliteti, de-përshkallëzimi e kështu me radhë.
Ata (Perëndimi) nuk u përmbahen parimeve të veta. Dhe, mendoj se çdo demokrat në Ballkan, qoftë në Serbi, Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi apo kudo në rajon, e sheh këtë si çmobilizuese.