Por sipas tij, Vuçiqi do ta shfrytëzojë çdo çështje që i mundëson atij të blejë kohë, për të evituar një marrëveshje të përgjithshme me Kosovën.
“Pra, ishte edhe Procesi i Berlinit që arriti marrëveshjet e para. Pra, punët po shkonin mirë për Kosovën. Dhe në sfond ishte nisma diplomatike e Berlinit dhe Parisit për të arritur një progres të madh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe në mes të kësaj ishin çështjet e vogla dhe simbolike ndaj të cilave Albin Kurti mbante qëndrim parimor. Në gusht amerikanët e ndihmuan atë me letërnjoftimet”.
Eksperti i Evropës Juglindore,Milan Nic, ka deklaruar se tërheqja e serbëve nga institucionet në veri të Kosovës ka krijuar një situatë shumë serioze prapakthyese.
Nic thotë se shumë gjëra ishin në rrugë të mirë në drejtim të normalizimit ose së paku përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në muajt e fundit.
“Është mjaft interesante që nga minikriza e asaj kohe rezultoi një marrëveshje e pashkruar që Serbia të njihte letërnjoftimet e Kosovës në fund të vitit. Njohja e letërnjoftimeve ishte më pas pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare të Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit, dhe pasi ajo të ratifikohet, do të bëhet e detyrueshme. Pra, gjërat po ecnin në drejtimin e duhur, për integrimin real të Kosovës në rajon, pa u bojkotuar nga Serbia”.
“Tani mendoj se Vuçiqi do ta shfrytëzojë çdo çështje që i mundëson atij të blejë kohë, për të evituar një marrëveshje të përgjithshme me Kosovën. Pra, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, nuk ka të bëjë me këto ditë. Vuçiqi ka vendosur tani që çdo çështje të vogël ta kthejë në të madhe. Pra, kjo nuk është një krizë që do të kapërcehet brenda një dite. Mendoj se çtensionimi do të kërkojë kohë dhe kapacitete diplomatike, të cilat kanë qenë të rezervuara për të arritur një kompromis të madh”, ka thënë Nic për DW.