Sulmi fizik që dyshohet të ketë ndodhur vitin e kaluar në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK), përballi sërish drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Selajdin Beqa me deputetë.
“Pse u bë e madhe, ka qenë një shtyrje jo rrahje, pse u kontaktuan mediat, s’po e kuptoj nëse paska qenë rrahje do duhej të ishte në spital. I këtij vendi jam, gjithçka e kam mbërri me merite, i këtij vendi jam, çfarë faji kam. Dikujt po i konvenon me i bë gjerat e vogla të mëdha”, tha Beqa, teksa insistonte që s’ka pasur përleshje.
Ndërsa kryetari i këtij Komisioni, tha se “nuk është kohë rrëfimesh” por që duhet përgjigje më konkrete.
“Po insiston me u bë më i rëndësishmi, nuk je. Nëse vazhdon, e marr kompetencën më të largu prej mbledhjes”, ia kthehu Muja.
Në këtë komision, u prezantua raporti vjetor financiar për vitin 2023.
Arsim Tërnava zyrtar financiar brenda këtij autoriteti, tha se raporti përmbush të gjitha obligimet e raportimit, duke i prezantuar të dhënat vjetore brenda punës së tyre.
Por me përformancën e këtij institucioni, nuk është i kënaqur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Tha se objektivat nuk mund të arrihen nëse nuk punohet mirë.
“Pse nuk e keni shtuar numrin e zyrtarëve profesional kur keni të tepruara mbi 80 mijë euro buxhet, a keni gjetur përkrahje nga institucionet qeveritare, gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të lartë të çmimeve, a jeni ndihmuar te vendosni rregull në treg”, pyeti Lushtaku.
E për rritjen e çmimeve, foli vet zyrtari financiar, Arsim Tërnava.
“Sa i përket rritjes se çmimeve është një fenomen qe ndodh në tregje, krizat globale zhvillimet e ndryshme e luftërave, këto ishin disa arsye kryesore qe i kemi vërejtur në ngritjen e çështjes së importit të produkteve. Vazhdimisht ne bëjmë monitorim të tregut, filluar sipas ankuesve, e informatave qe i përdorim nga terreni. Kemi qenë mjaftueshëm aktiv në këto muaj. Në mars të vitit 2023 kemi kërkuar qe të fusim produkte bazike ne monitorim”, u shpreh ai.