Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme dy persona në Ferizaj. Të njëjtit u prangosën nën dyshimin dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Në një deklaratë për media, Dogana e Kosovës ka sqaruar se njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet B.Sh., kishte qenë i punësuar në këtë institucion por ishte pushuar nga puna 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
“Në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për aktivitete spiunazhi, Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.
“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, thuhet në reagim.