Molliqaj: Trajtimi i serbëve në veri, ka ngapak ngjashmëri se si na ka trajtuar Milosheviqi neve

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj mendon se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos rrëshqas në pozicione fashiste në mënyrën e trajtimit me serbët e veriut.

Molliqaj tha se ka ngjashmëri trajtimi i veriut dhe serbëve në atë pjesë me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.

“Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi. Duhet të kemi kujdes, sepse ka pak ngjashmëri”, ka thënë kreu i PSD-së.

Sipas tij, me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, është dëshmuar që veriu kontrollohet nga Serbia.

Mua më duket që Kurti e ka keqllogaritur masën e tij të reciprocitetit. Ne kemi qenë kundër sepse problemi nuk është ligjor në veri, por është politik. Tani na treguan që realisht veriun e kontrollon Serbia”, ka deklaruar Molliqaj

Ai ka thënë se nuk mund të thuhet që të gjithë serbët janë të instrumentalizuar.

“Ka një tendencë jo vetëm të pushtetit, që serbët janë vetëm të instrumentalizum. Ju dhe ne e dimë që 98% të atyre votave i fiton Lista Serbe. Ne mund të themi se ata votojnë gabim, por s’mund të themi se të gjithë janë të instrumentalizuar”, ka thënë Molliqaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.