45 fëmijë me probleme të lindura të zemrës, po i nënshtrohen intervenime kardiokirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). E gjithë kjo po bëhet si rezultat i një misioni humanitar, ku një ekip i mjekëve nga Turqia ka arritur në Kosovë dhe së bashku me stafin vendor për 10 ditë me radhë, do të kryejnë intervenime në zemër tek fëmijët.
Doktor Ramush Bejiqi, pediatër-kardiolog ka thënë për “ Indeksonline” se përveç intervenimeve që do të bëhen tek fëmijët, kësaj radhe këtyre intervenimeve do t’i nënshtrohen dhe tre pacientë të moshës madhore.
“Me këtë mision kemi filluar të shtunën dhe të dielen i kemi përzgjedh prej 92 fëmijëve kemi përzgjedh 45 fëmijë. Prej këtyre 34 bëhet intervenimi pa operacion, kurse 11 do t’i operojmë me zemër të hapur. Sa i përket intervenimeve kemi filluar dje dhe ditën e parë e kemi thyer rekordin. Rekordi ka qenë më së shumti katër fëmijë, dje i kemi bërë pesë. Sot dej tash i kemi bërë pesë por po mendojmë t’i bëjmë shtatë ose tetë. Me këtë mision po mendojmë me thy dhe rekordin e përgjithshëm me i trajtu 33 deri 35 fëmijë dhe fal kryetarit të organizatës do të intervenojmë dhe tek tre pacientë të moshës mbi 20 vjet, për shkak se në Kosovë nuk kanë zgjidhje tjetër nuk kemi kardiologji adulte që merret me këtë patologji”, ka thënë Bejiqi.
E intervenimet e tilla sipas Bejiqit ka një kosto të lartë dhe se për tu realizuar jashtë vendit pacientëve do tu duhet nga 20 deri në 80 mijë euro.
“Asnjë nuk kushton më pak se 20 mijë euro. Por ka dhe intervenim që kushton në Gjermani deri në 80 mijë euro. Tek ne të gjitha janë fal. Materiali është i tyre . E vetmja punë çka ne iu ofrojmë ktyre është vendosja në hotel e paguajme ne dhe ushqimin”, tha ai.
Ndërsa thotë se benefitet nga ky mision humanitar që po bëhet këto ditë në QKUK janë të shumta.
“Kjo ka së paku tre benefite. Benefiti krysor për pacientin. Pacienti merr shërbimin në Kosovë. Sot është pranu nesër intervenohet, mbasnesër shkon në shtëpi. Kostoja është zero. Po të shkonte jashtë ministria do t’i paguante shpenzimet… E dyta benefiti është dhe financiar për MSH. Nëse ne i operopjmë 45 fëmijë janë 2 deri 2.5 milion euro kursime. Benefiti i tretë dhe kryesor është se ne mësojmë prej tyre. Çdo doktor i tyre ka një doktor tonin mrapa shpinës. Ose doktori ynë punon dhe këta rrijnë mrapa. Është një përvojë. Në një qender evropiane të vogël 35 fëmijë trajtohen për dy apo tre muaj. Këtu i kemi për një javë. Janë benefite të mëdha dhe të mira. Përvojë e mirë. Kjo ka qenë dhe intenca për çka gjithmonë kam insitu të kemi misione këtu dhe jo t’i qojmë fëmijët jashtë. Besoj që jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Bejiqi.