Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçakut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit.
Si zgjidhje të duhur ajo e konsideron mundësinë që BE këtë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim. Megjithatë, ajo thotë se janë të gatshëm të ulen me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, në mënyrë që qeveria të hartojë një draft-statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.