Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Sipas njoftimit për media, deri te rekomandimi për suspendimin e tre policëve ka ardhur pasi dyshohet se ata kanë rrahur një 15-vjeçar dje në Palestrën e Sporteve në Drenas.
“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Më tej, IPK-ja tha se veprimet e mëtutjeshme hetimore në lidhje me rastin do të vazhdojnë nga hetuesit e Inspektoratit në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.