Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ka bërë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria.
“Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte” shkroi Kurti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra.
Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë.
Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi.
Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte.