Policia e Kosovës ka gjetur një kallashnikov (AK-47), një granatë dore, një pistoletë dhe 30 fishekë në banesën e Harbin Vitijës, të dyshuarit për të shtëna me kallashnikov të enjten në mbrëmje.
Vitija është arrestuar të martën, ka raportuar Paparaci bazuar në burime brenda organeve të rendit.
Policia ka njoftuar sot për arrestimin dhe kontrollin në banesën e të dyshuarit.
“Lidhur me rastin, me 18.06.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një granat dore, një AK-47, një pistoletë, 30 fishekë dhe një karikator”, tha policia.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në paraburgim.