Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim – së bashku me Kosovaren e me bashkëpunëtorë, shpalosën pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të selisë qendrore të LDK-së.
“Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha!”
“Nekibe Kelmendin, atdhetare dhe veprimtare e madhe të kauzës nacionale, ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pamposhtur që përkundër sfidave e dhimbjeve të rënda nuk u gjunjëzua asnjëherë. Ajo ka gravuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që shkriu veten në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.