Në tetor të vitit 2023, në Komunën e Deçanit, një grup individësh ishin mbledhur në një ndërtesë për të njoftuar se kishin themeluar një lëvizje me synime për “shqiptarizmin” dhe për “braktisjen vullnetare të fesë islame”.
Prokuroria e Pejës hapi hetimet në lidhje me këtë ngjarje, por tani dosja është transferuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili për shkak të ndjeshmërisë së procesit hetimor, nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë rast.
Grupi i qytetarëve, shumica prej tyre nga Deçani, bëri daljen publike më 20 tetor 2023, ndërsa tre ditë më pas, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, mblodhi Këshillin e Bashkësisë Islame në reagim ndaj kësaj ngjarjeje.
Ata e konsideruan këtë veprim si një thirrje për të nxitur urrejtje, për të cilën thanë se është e dëmshme dhe e dënueshme.