Kushtetuesja rrëzon Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

NJOFTIMI I PLOTË:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO46/23, me parashtrues Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese bazuar në autorizimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;               (iii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar themelon Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme (Byroja Shtetërore), duke e përfshirë në rendin juridik të Republikës së Kosovës edhe konceptin e konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme, përkatësisht dhe në esencë, konfiskimin e pasurisë pa nevojën e vërtetimit në procedurë penale që pasuria përkatëse është fituar përmes kryerjes së veprës penale. Për këtë qëllim, Ligji i kontestuar, përcakton procedurën për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë dhe palët e treta, përkatësisht çdo person fizik apo juridik tek të cilët pasuria e personit zyrtar është bartur apo që ka ose mund të ketë pasur interes juridik mbi pasurinë e palëve në procedurë. Sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar, verifikimit i nënshtrohet pasuria e fituar në mënyrë të pajustifikuar duke filluar nga 17 shkurti 2008 dhe në parim, brenda dhjetë (10) viteve nga momenti kur zyrtarët përkatës pushojnë së ushtruari funksionet e tyre, me saktësimin që verifikimit të pasurisë, përjashtimisht mund të i nënshtrohet edhe pasuria e fituar pas përfundimit të ushtrimit të funksionit zyrtar. Byroja e lartcekur, ka kompetencën për të vlerësuar masën pasurore të secilit zyrtar në raport me të hyrat e ligjshme dhe në rast të vlerësimit që ka shpërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej njëzetepesëmijë (25,000) euro, mund të propozon sigurimin e pasurisë përmes masës së përkohshme dhe më pas, konfiskimin e të njëjtës pas vendimit përkatës gjyqësor. Marrë parasysh që procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, standardi i të provuarit nuk është ai penal i “dyshimit të bazuar”, por ai civil i “vlerësimit të gjasave” dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pa/justifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova “beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo”. Për më tepër, dhe përderisa Byroja Shtetërore ka barrën fillestare të argumentimit që pasuria konfiskimi i të cilës propozohet është e pajustifikuar, barra për të dëshmuar që pasuria në fakt është e justifikueshme, bie mbi individin. Duhet të theksohet gjithashtu që, përderisa Byroja Shtetërore ka kompetencën e plotë për verifikimin dhe propozimin për konfiskimin e pasurisë, janë gjykatat ato të cilat kanë kompetencën për të vendosur nëse pasuria kontestuese i nënshtrohet konfiskimit ose jo. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, për qëllime të verifikimit dhe propozimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, Ligji i kontestuar, themelon Byronë Shtetërore, e cila udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm me mandat shtatë (7) vjeçar, ndërsa mbikëqyret nga një Komision Mbikëqyrës i përbërë nga (i) një gjyqtar i Gjykatës Supreme i caktuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit; (ii) Auditori i Përgjithshëm; (iii) Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit; (iv) zëvendës Avokati i Popullit; dhe (v) Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare. Ky Komision, i cili vendos me shumicën e anëtarëve në kuadër të kuorumit vendimmarrës prej katër (4) anëtarësh, ka kompetencën e plotë mbikëqyrëse të të gjitha funksioneve të Byrosë Shtetërore, përfshirë miratimin e të gjitha akteve nënligjore.

Thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, ndërlidhet me cenimin (i) e parimeve të sundimit të ligjit dhe parimit të sigurisë juridike, si vlera thelbësore të rendit kushtetues; dhe (ii) e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, përfshirë instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare. Në esencë, parashtruesit e kërkesës parashtrojnë tri kategori çështjesh para Gjykatës. Së pari, pretendojnë që mekanizmat e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë nuk ngërthejnë garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, sidomos në kontekst (i) të barazisë para ligjit, marrë parasysh faktin që ligji i aplikueshëm bën dallimin në mes personave zyrtarë dhe qytetarëve tjerë të Republikës së Kosovës dhe vet personave zyrtarë që kanë ushtruar funksione para dhe pas 17 shkurtit 2008; (ii) të garancive procedurale që ndërlidhen me verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, përfshirë të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, përkatësisht barazisë së armëve, prezumimit të pafajësisë, barrës së provës, të drejtës për t’u mos inkriminuar  dhe mjeteve juridike; dhe (iii) të drejtave pronësore të subjekteve të verifikimit. Së dyti, pretendojnë që aplikimi retroaktiv i ligjit, përtej cenimit të të drejtave dhe lirive themelore, cenon edhe parimin e sigurisë juridike dhe vlerat e Kushtetutës. Së treti, pretendojnë cenimin e kompetencave të Kuvendit për mbikëqyrjen e Agjencive të Pavarura, për arsye se në rrethanat e rastit konkret, kompetenca mbikëqyrëse e Kuvendit është transferuar në një Komision Mbikëqyrës, i cili, për më tepër, karakterizohet me papajtueshmëri kushtetuese funksionesh, me theks në zëvendës Avokatin e Popullit, ndërsa gjithashtu duke vënë theks në mungesën e pavarësisë së Byrosë Shtetërore, përfshirë në kontekst të mënyrës së zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.